E vërteta dhe metoda e Sokratit

29.04.2020

Në këtë kohë, ku konfuzioni ka pushtuar aq shumë territor sa rrezikojmë të çmendemi, ndjejmë se i vemti shpëtim apo shërim është e vërteta. Nga informacioni që qarkullon nëpër ekranet kuboidë duket sikur bota është e ndarë në dy kampe: ata që i tremben murtajës dhe karantina iu duket mbrotje; dhe ata të cilët janë të gëzuar tek shohin rrënimin e nje sistemi të kalbur mbarëbotëror dhe karantinën si përpjekjen e fundit të dëshpëruar për t'i marrë njeriut, atë që ka dashur gjithmonë, lirinë e shpirtin.
Dilema se kujt duhet t'i besosh, sjell më shumë ankth e frikë se vetë murtaja. Në ç'kurth kemi rënë? A mund të quhet karantina kurth?
Kam patur disa momente, gjatë përgatitjes time si psikiatre, ku jam ndjerë e demoralizuar nga profesorë e kolegë të psikanalizës, të cilët mbronin idenë se e vërteta është subjektive. Pra e vërteta është e papërcaktueshme duke qenë se vetë subjekti është i papërcaktueshëm dhe psikanalisti, pavarësisht se synon të vërtetën, është i dënuar të mos arrijë asnjëherë tek ajo. Patjetër që po ta dëgjonte Frojdi këtë, do digjte me dëshirë librat e tij dhe do të thoshte: "I dashur njeri, ti nuk e meriton gjithë këtë dije që ke një shekull që nuk e përdor!". Si çdo shkencë, e cila përpiqet të gjejë origjinën/shkakun e ngjarjes, edhe psikanaliza lindi nga dëshira për të gjetur origjinën/shkakun e problemeve psikike. Kuptohet që Frojdi jetoi në një kohë e cila nuk e lejonte t'i thoshte gjërat troç, por ama gjurmët i la. Zemra e psikanalizës, kur ajo lindi, ishte "E vërteta shëron". Prandaj dhe sot kemi nevojë për të vërtetën që të na shërojë nga karantina dhe murtaja.
Po si të shkojmë tek ajo, kur kuboidët janë të mbushur me lajme kontradiktore, hutuese e frikësuese? "E vërteta kërkon pyetje."- thotë Sokrati, duke na ftuar në metodën e tij të pagabueshme drejt kërkimit të saj.
E vërteta ka një lidhje shumë të ngushtë me dritën/njohjen. Bëhet e dukshme vetëm kur e ndriçojmë. E megjithatë ajo vazhdon të ekzistojë edhe kur subjekti e lë në harresë. Pra çfarë është e vërteta kur qenka e pavarur nga drita? E vërteta është informacion, formë, strukturë, ligj i natyrës, formulë, ndërsa drita i jep jetë duke e bërë të gjallë dhe të transformueshme. Po,e vërteta është e ndryshueshme, por kjo nuk i heq aspak atributin strukturor që e krijoi. Prandaj, e vërteta mund të jetë krejt e përcaktueshme në rast se kemi guximin t'i hedhim dritë dhe krejt e transformueshme në rast se kemi aq dritë sa t'i japim jetë.
Çfarë është pyetja për Sokratin? Pyetja i përket regjistrit të gjuhës, të simboleve, prandaj ka strukturë. Prandaj formulimi i saj është vendimtar mbi përgjigjen, e cila vjen për të ndriçuar të vërtetën. Përveç strukturës, pyetja mbart kërkesën/dëshirën e cila drejton dritën/njohjen/vëmendjen për te vetja. Shpeshherë përgjigja është brenda nesh duke na pritur që ne të shkojmë drejt saj.
Natyralisht pyetja, dëshira, kërkesa shkojnë drejt plagës, asaj që dhëmb. Aty është vëmendja. Prandaj dhe Frojdi e mbështeti metodën e tij te pyetjet të cilat nxirrnin nga subjekti përgjigje që as vetë subjekti nuk i dinte më parë. Prandaj boshllëku i dijes nuk mbushet nga sasia e madhe e informacionit që marrim nga jashtë, por vetëm atëherë kur bëjmë pyetjet e duhura.
Fikini të gjithë ekranet. Vendosni dorën në kraharor. Ndjeni frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës. Nga aty vjen jeta e pyetjes tuaj. Aty do gjeni të gjitha përgjigjet që dëshironi.

Alma Hasalami

Share
Adresa Rruga Todi Shkurti nr. 78,Tirane. cel./whatsapp 0686182101 & cel: 067 27810 75
Creato con Webnode Cookies
Crea il tuo sito web gratis! Questo sito è stato creato con Webnode. Crea il tuo sito gratuito oggi stesso! Inizia