Karantina - grahma e fundit e patriarkalitetit

29.04.2020

Rikthimi te gjeometria e shenjtë 

Liria është kërkesa më natyrale e psikës, sepse vetë shpirtit është liri. Studentëve, kur u shpjegoj mbi shëndetin e psikës, u tregoj se themelet e saj janë pavarsësia/individualiteti, zotërimi i mjedisit përreth, zotërimi i potencialit të brendshëm dhe menaxhimi i stresit (aftësia për tu shëruar nga e cila na vjen dhe aftësia për të dashuruar). Është e qartë se karantina është mohimi i gjitha këtyre.

Karantina ka një lidhje shumë të ngushtë me psikën e sotme të masës sepse ngjan sikur të jetë një nga dhomat e saj. Kur me pacientët futemi për të eksploruar dhomat e psikës, në shumicën e rasteve projektimi i mashkullores është një dhomë kuboide, shumë e ngjashme me shtëpitë tona. Do ta përshkruaja si një arkitekturë komuniste me hapësira të vogla e të ngjeshura me objekte. Kur subjekti, pavarësisht gjinisë, futet në dhomën e projektimit të femërores, përballet me pyje, xhungla, detin natën apo hapësira të mëdha sferike. Patjetër vitaliteti i hapësirës varet nëse kemi trauma me femëroren apo jo, por, sido që të jetë, liria është gjithmonë karakteristikë e kësaj dhome. Kjo liri na jep mundësi që të shërojmë traumat me ushqimin, me femëroren, me krijuesen dhe të mbushemi me jetë.
Ndërkohë ana mashkullore është strehëza, tempulli, struktura e cila duhej të na siguronte mbrojtje nga predatorët e pyllit, predatorët e subkoshiencës. Projektimi i mashkullores si strehëza apo hapësira e mbrojtur, nuk përbën problem apo patologji, sepse mashkullorja është po aq e domosdoshme sa dhe femërorja. Por patriarkaliteti mbi të cilin ajo është ndërtuar, e deprivon subjektin nga jeta. Strukturat patriarkale katrore dhe kuboide përjashtojnë të bukurën, format e lakuara sferike të femërores.

Për të kuptuar efektin që ka forma në psikë duhet të pranojmë që psika është energji/libido. Në natyrë energjia qarkullon në formë rrethore, pasi është forma e cila gjeneron nxitim në mungesë të forcës dhe lëvizje të pashtershme, pra energji dhe jetë. Sepse lëvizja është jetë. Kur energjia nuk lëviz, nuk qarkullon, nuk shkëmben, shumë shpejt ajo shteron dhe shkon drejt vdekjes. Prandaj jeta në izolim është e pamundur. Prandaj ekzistenca pa dashuri është vdekje. Kemi parë eksperimente të rënda apo raste prindërish psikopatë, të cilët kanë lënë në izolim të plotë subjektin apo fëmijën për disa muaj apo vite. Në rastin e eksperimentit, subjekti adult, pas dy muajsh izolim, del i dobësuar, i shpërfytryuar dhe psiqikisht i disbalancuar. Ndërsa në rastin e fëmijës, i izoluar për disa vite, vihen re deformime të trupit, probleme të theksuar të zhvillimit dhe sjellje autike.

Sa mund të zgjasë jeta brenda katër mureve?! Arketipi i femërores së egër, gruaja e vërtetë e Adamit, me kafshimin e mollës na mëson se struktura edhe mund të thyhet. Pikërisht sepse kemi nevojë për ushqim. Kemi nevojë të dalim në pyll për ushqim dhe përgjatë rrugëtimit do përballemi dhe me predatorin. A i shmangemi dot kësaj? A i shmangemi dot jetës?

Patjetër mohimi i formave rrethore në strehën tonë është trashëgim i një karantine që erdhi me komunizmin dhe stilin e ftohtë modern arkitekturor. Tempujt, kishat, apo arkitektura bizantine, bashkë me kështjellat e pallatet kanë patur gjithmonë rrethin dhe sferën si qendër të ekzistencës së tyre. Ndërsa urbanizimi me pallate me hyrje të vogla e të ngushta, bashkëjetesa e mbipopulluar, banesa të stivosura njëra mbi tjetrën si kuti shkrepëse, bllokojnë qarkullimin e energjisë. Pezullia e tyre bëhet shkak për gjenerimin e vuajtes psikike e cila më vonë do pasohet edhe nga vuajtja fizike.

Mbi këtë bazë arkitekturore kuboide janë ndërtuar dhe aparatet e informacionit: ekrani i TV, i kompjuterit, i smartfonit dhe i çdo pajisje tjetër e cila përmban imazh. Imazhi, duke qenë se ka lidhje me imagjinatën apo me atë hapësirë në të cilën ne krijojmë e projektojmë, është shumë i rëndësishëm në përcaktimin dhe krijimin e realitetit. Kur psika jonë lidhet me kuboidët informativë, forma e saj natyrale rrethore fillon e humbet. Sa më i madh ekspoizimi ndaj këtyre ekraneve, aq më i fortë bëhet strukturimi artificial i psikës tonë. Pse është artificial? Sepse nuk buron nga vetja dhe forma kuboide e tij, duke qenë se nuk lejon lëvizje të energjisë, na bllokon që ne të ndërhyjmë e ta ndryshojmë. Praktikisht kemi të bëjmë me pushtim psikik.

Si të çlirohemi? Duhet të këpusim kordonin me këto aparate. Gjithmonë kur ka shkëmbim informacioni krijohet kordon psikik i cili lejon qarkullimin e tij. Si fetusi i cili përmes kordonit umbilikal merr ushqim dhe informacion nga nëna, ashtu dhe ne marrim informracion nga aparati. Mirëpo duke qenë se jemi në marrëdhënie me një objekt të pajetë, në këtë rast marrim vetëm informacionin, ndërkohë që gjithë vitaliteti ynë rrjedh drejt tij. Pra ne mbajmë në jetë pushtuesin e psikës tonë.

Kordoni u këput. Por si mund t'i shpëtojmë strukturave kuboide të cilat tashmë qëndrojnë stoike brenda psikës tonë duke na udhëhequr perceptimin mbi realitetin dhe krijimn e tij? Femërorja e egër na mëson se këto struktura mund t'i shembim. Bëni një provë të thjeshtë! Mbyllini sytë! Merrni frymë thellë! Jepini komandë strukturës patriarkale brenda vetes të shembet! Imagjinojeni si një kasolle me dërrasa të kalbura e cila po ju merr frymën! Shembeni dhe digjeni! Do të ndjeni një shtresë energjie e cila zhvendoset nga trupi. Do të ndjeni çlirim të gjithë trupit dhe shumë dëshirë për jetën. Do të jepni më shumë dashuri dhe do të merrni më shumë kënaqësi. Tani fillon jeta e vërtetë!

©Alma Hasalami
me Ina Gjata

Share
Adresa Rruga Todi Shkurti nr. 78,Tirane. cel./whatsapp 0686182101 & cel: 067 27810 75
Creato con Webnode Cookies
Crea il tuo sito web gratis! Questo sito è stato creato con Webnode. Crea il tuo sito gratuito oggi stesso! Inizia