Kënaqësia dhe e Vërteta dhe dy skizat e mëdha të Realitetit

Freud zbuloi se sëmundja është rezultat i konfliktit mes nënvetëdijes dhe vetëdijes, mes Realitetit dhe idesë sonë për të. Ai zbuloi se shkaku kryesor i mohimit të Realitetit ishte refuzimi i Kënaqësisë dhe nxiti një revolucion kulturor, duke çnderuar kishën dhe të gjitha fetë që e mohuan atë.
Meqenëse Id-i (animalja/ nënvetëdija) është shumë seksuale, forcat e saj krijuese dhe shkatërruese janë shumë të lidhura me kënaqësinë. Në filozofinë e çakrave, kjo fushë beteje mes krijimit dhe shkatërrimit, jetës dhe vdekjes, është e vendosur në çakrën (nyjen energjitike) e dytë, mitra te femra dhe prostata te meshkujt (që është projeksioni i mitrës së nënës së tyre ose i femërores së tyre). Kjo është çakra e kënaqësisë ose e senseve. Kur ndiejmë kënaqësi duke bërë diçka, ne ndiejmë rritjen e dëshirës për jetën, për ekspansion, për krijim. Kur ndiejmë dhimbje, tkurremi në vete duke u përpjekur të kuptojmë se çfarë na duhet të flakim... çfarë është e nevojshme të vdesë. Ne e njohim realitetin përmes shqisave. Kështu që dhimbja vjen kur realiteti nuk është i këndshëm dhe kënaqësia nuk mund të vijë nëse ne e mohojmë atë pjesë të realitetit që nuk na pëlqen. Meqenëse dhimbja ushqen forcat shkatërruese, është shumë e natyrshme për ne të vrasim atë pjesë të realitetit që po na shkakton dhimbje. Pra, thotë Freud, nëse nuk doni të jeni as neurotikë dhe as psikotikë, duhet të ndryshoni atë pjesë të realitetit që nuk ju pëlqen. Ndaloni të qenurit viktimë... ndryshojeni... ndryshojeni...
Revolucioni seksual i viteve '60 duhej të ishte çlirues dhe shërues. Arti, veçanërisht muzika, po krijonin një kulturë ndërkombëtare, duke u përpjekur ta bënin më të vetëdijshme botën për nevojën për kënaqësi. Por duhet të kujtojmë se si ndryshoi politika e botës pas Luftës së Dytë Botërore. Një lindje komuniste që krijoi një model të ri të njeriut, i cili sakrifikon çdo lloj kënaqësie në emër të barazisë; dhe një perëndim i industrializuar që tregton kënaqësinë duke servirur modeleve që abuzojnë me të.
Në këtë kohë Lacan hyn duke thënë se trauma jonë nuk është më te refuzimin i kënaqësisë, por te gjuha. Seksi nuk ka të bëjë vetëm me kënaqësinë, por edhe marrëdhënien. Për t'i dhënë kënaqësi tjetrit, duhet të komunikosh, të kuptosh ndjenjat e tjetrit. Veçanërisht në marrëdhënien seksuale, ku jemi para pasqyrës, përballë nënvetëdijes tonë. Pra, mënyra se si ne bëjmë dashuri pasqyron marrëdhënien që kemi me nënvetëdijen tonë. Nuk është dhe aq e keqe, apo është?
Pulsionin seksual dhe pulsionin e shkatërrimit që Freud dalloi, Lacan i bashkoi në një pulsion të vetëm që e quajti jouissance (një koncept i komplikuar i kënaqësisë që ekziston vetëm në frëngjisht dhe nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë tjetër). Jouissance është pulsioni i kënaqësisë që shkon përtej limitit dhe bëhet shkatërrues për subjektin. Pra, për të kufizuar jouissance, ne kemi nevojë për gjuhën - thotë ai. Nënvetëdija jonë është e gjitha kënaqësi. Mitra është plot jouissance, plot dëshira. Por duke qenë se kërkimi i kënaqësisë kërkon bashkëveprim me tjetrin, na duhet gjuha për të rregulluar marrëdhënien. Pra, gjuha krijon një mënyrë të shëndetshme për të kënaqur Id-in.
Por Saussure thotë që gjuha jonë është e thyer. Ekziston një e çarë mes akustikës dhe kuptimit të fjalës. Kjo është arsyeja pse kemi një traumë aty. Skiza mes shprehjeve të ndjenjave (gjuha e shqisave / trupit / nënvetëdija) dhe përkthimit të vetëdijshëm të tyre në kuptim. Pra, ky problem në komunikim prodhon një skizë në realitet. Kjo është arsyeja pse Id-i jonë nuk është i kënaqur. Mos harroni se Id-i është një animale që dëshiron vetëm kënaqësi.
Gjithashtu, pas viteve '50, filloi epoka e kuboidëve dhe e pilulave. Njerëzit po zbulonin substance të reja si LSD, MDMA, MDME, heroinë dhe shumë e shumë substanca të tjera që ne nuk i njohim akoma sot. Ishte epoka kur antipsikotikët dhe antidepresantët hynë në botën e psikiatrisë, dhe farmaceutika filloi të sundojë mjekësinë. Substancat që ndihmonin në hapjen e syrit të tretë, nyja energjitike më e rëndësishme e psikës, u bënë ilegale dhe zbulimi më i madh i shekullit mbeti antipsikotiku dhe antidepresivi, të cilët ndihmojnë në mbylljen e syrit të tretë. Syri i tretë është imagjinata, aftësia jonë për të projektuar. Imagjinata është një regjistër i shkëputur nga realiteti, por përpiqet të komunikojë me të përmes gjuhës. Imagjinata është hapësira ku krijohen idetë tona dhe realiteti është një përkthim i këtyre ideve. Ne ndërtojmë atë që projektojmë, kështu që realiteti ynë ka Imagjinatën si burim.
Ndërkohë, kuboidët po zhvilloheshin nga TV dhe apartamentet deri në
tableta dhe telefonat Smart. Dhe e gjithë imagjinata jonë tani është brenda një
kuboidi. Në fakt, e gjithë imagjinata jonë është e pushtuar nga ky kuboid. Duke regjistruar
informacione gjithë ditën dhe çdo ditë, filluam të projektojmë gjëra që shohim
në këto kuboidë. Dhe realiteti ynë bëhet jo i këndshëm për Id-in tonë, i cili kërkon
vërtetësi dhe origjinalitet.
Në filozofinë e çakrave, nyja energjitike e të vërtetës është e vendosur në fyt. Dhe fyti do të thotë gjuhë. Freud tha një të vërtetë shumë të madhe për seksualitetin, dhe megjithatë ai vdiq nga kanceri i fytit. A e tha ai gjithçka që donte të thoshte? Kushedi sa traumatike duhet të ketë qenë për të keqkuptimii teorive të tij! Mundet që Lacan të jetë frymëzuar nga ky fakt, ndaj zbuloi këtë traumë kolektive. Gjuha nënkupton komunikimin e vetes te tjetri, te publiku. Ne duhet t'i ndajmë idetë tona me të tjerët në mënyrë që ato të zbatohen, sepse realiteti është shumë kolektiv.
Pra, kemi një ndjenjë të deformuar të kënaqësisë, sepse ne e mohojmë atë në disa mënyra, aty ku është trauma. Ende duhet të shërojmë idenë tonë mbi seksin, i cili është shumë i deformuar nga patriarkaliteti. Dhe kemi një sens të deformuar të së vërtetës sepse shumica e informacionit është i ftohtë, pa ndërveprim me subjektin, në shumicën e rasteve jo real, dhe prapëseprapë ai krijon forma në imagjinatën tonë.
Shkrimi i këtij meditimi më bëri të kuptoj se të gjitha kënaqësitë vijnë nga marrëdhëniet, dhe sa shumë shëndeti jonë varet tek ato. Marrëdhënia me ushqimin, marrëdhënia me tjetrin, marrëdhënia me natyrën, marrëdhënia me misterin - nenvetëdijen. Tani po kuptoj pse më erdhi shumë natyrshëm nevoja për të shkrirë filozofinë orientale të çakrave (një filozofi shumë imagjinare, shumë transhendentale) me filozofinë empirike të perëndimit. Siç thonë alkimistët mesjetarë: zgjimi vjen duke martuar femëroren me mashkulloren, nënvetëdijen me vetëdijen.
Alma Hasalami