Trauma dhe ekot e saj
Vdekja e Narcisit
Trupi si metaforë e psikës
Duket sikur është folur shumë për traumën, e megjithatë shumica e traumave sot mbeten të pazgjidhura nga psikologjia apo psikiatria. Frojdi e kutpoi që te pacientja e parë, tek e cila filloi të eksperimentojë me psikanalizën, se nuk mjaftonte thjesht zbulimi/interpretimi i traumës. Ai vuri re se pacientët kishin, në shumicën e rasteve, një dëshirë që udhëhiqej nga trauma dhe që pengonte shërimin.
Kërkimi rreth kësaj pengese shërimi nisi me Eko-n. Kisha vënë re që trauma shoqërohet gjithmonë me eko. Ne ndjejmë përgjatë gjithë jetës tonë ekot e ngjarjeve të forta. Trauma është si ai guri që bie në sipërfaqen e ujit dhe duke shkaktuar eko, turbullon imazhin. Po çlidhje ka Ekoja me Narcisin? Sipas mitologjisë greke, Eko ishte nifma që bie në dashuri me Narcisin dhe duke qenë se ky nuk ia kthen, ajo e ndëshkon me dashurinë e pamundur: dashuria për imazhin e vetes.
Nga eksperienca me traumat, duket se nuk kemi vetëm problemin e dhimbjes apo plagës, por dhe problemin e identifikimit me traumën. Pra trauma ka dy pasoja: 1. Dhimbja e shkaktuar nga plaga; dhe 2. Cikatrizimi apo amputimi i vetes/tjetërsimi përgjatë traumës, i cili krijon një identitet të ri - ekoja në ujë kur Narcissus tenton të prekë imazhin e tij.
Dhimbja është një forcë e cila na nxit të njohim më shumë, më në thellësi plagën, duke e çuar gjithë vemendjen tek ajo. Përpjekja për t'i gjetur kuptimin. Plaga është një hapje - portë, nga e cila akoma nuk dimë çfarë ka hyrë apo çfarë ka dalë. Por ama dihet që integriteti i të tërës është vënë në rrezik. Cikatrizimi, amputimi, tjetërsimi janë pasojë e portës së hapur.
Trauma ka gjithmonë natyrë seksuale, duke qenë se trupi dhe psika janë të kësaj natyre. Gjithmonë në trauma fizike dhe psikike, krijohet ndërmjet viktimës dhe abuzuesit një marrëdhënie shumë e ngushtë, e cila ngjan me marrëdhënien seksuale. Në të gjitha rastet, abuzuesi i merr diçka/afekton viktimën. Këtu me të vërtetë nuk ka dashuri, por ka një këmbim i cili krijon marrëdhënie. Dhe meqë viktima ndjen një pjesë të vetes tek abuzuesi, nuk e lufton dot këtë të fundit. Ky është momenti ku viktima identifikohet me abuzuesin. Ku vetja tashmë e copëtuar te të tjerët, njeh nga këto copëza të ndara tension, irritim apo urrejtje. Ky është momenti ku Narcisus vendos të vdesë, sakrifikon imazhin e tij për tu çliruar nga dhimbja.
Zbulimi i identitetit real apo stadi i pasqyrës ngjajnë gjithmonë me momentin kur Narcisus vdes. Gjithmonë duhet të sakrifikojmë dicka, të shkëpusim nga trupi apo psika ato copëza që na lidhin me traumën. Të heqim dorë nga imazhi i mëparshëm i vetes. Të shembim strukturat e vjetra të t'menduarit. Dhe në fakt vdekja e Narcisit është shpëtimi i tij nga status quo-ja, është tentativa për shërim.
Lakani hodhi një hipotezë interesante: Po sikur simptoma të jetë një "sinthome", pra një fakt strukturor jo domosdoshmërisht i panevojshëm!? Me një fjalë, "e pa analizueshmja" apo "dëshira e parsyeshme". Pra "sinthome" simbolizon atë pjesë të vetes në krizë për të gjetur identitetin real-Eko.
© Alma Hasalami

